Dhjata e Re

Galatasve 5:11-21 Së Bashku (ALNT)

11. Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më shkak për skandal.

12. U tredhshin e u gjymtofshin ata që po ju trazojnë.

13. Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të trupit, por t’i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri.

14. Sepse i gjithë ligji i Moisiut është përmbledhur në këtë urdhër të vetëm: Duaje tjetrin si veten.

15. Por në qoftë se kafshoni dhe përpini njëri-tjetrin, ruajuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.

16. Prandaj ju them: jetoni në Shpirtin e Shenjtë dhe kështu nuk do të ndiqni dëshirat tuaja mëkatare.

17. Sepse dëshirat mëkatare janë kundër Shpirtit të Shenjtë dhe Shpirti i Shenjtë është kundër dëshirave mëkatare. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin dhe kështu ju nuk bëni atë që dëshironi.

18. Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit të Shenjtë, nuk jeni nën ligjin e Moisiut.

19. Veprat e dëshirave mëkatare janë të njohura: kurvëria, ndyrësia, fëlligështia,

20. idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet,

21. zilitë, dehjet, darkat e shfrenuara dhe të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë Galatasve 5