Dhjata e Re

2 Selanikasve 3:5-16 Së Bashku (ALNT)

5. Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Perëndisë e në durimin e Krishtit.

6. Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht, të largoheni nga çdo vëlla që jeton në përtaci dhe jo sipas traditës që morët prej nesh.

7. Edhe ju e dini sesi duhet ta ndiqni shembullin tonë, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim mes jush

8. e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt.

9. Ne e kemi autoritetin për ta bërë këtë, por vepruam kështu që të jemi shembull për ju.

10. Edhe kur ishim me ju, ju porositëm se ai që nuk dëshiron të punojë, as të mos hajë.

11. Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merren me gjëra të kota.

12. Këta i porosisim dhe i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t’i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e gojës.

13. Ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.

14. Në qoftë se ndokush nuk i bindet fjalëve që po ju shkruajmë në këtë letër, shënojeni këtë njeri e mos u shoqëroni me të në mënyrë që ai të turpërohet.

15. Megjithatë, mos e shihni si armik, por qortojeni si vëlla.

16. Vetë Zoti i paqes ju dhëntë paqen gjithnjë e në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë!

Lexoni kapitullin e plotë 2 Selanikasve 3