Dhjata e Re

Zbulesa 8:6-13 Së Bashku (ALNT)

6. Shtatë engjëjt, që mbanin shtatë trumbetat, i bënë gati për t’u rënë.

7. I ra trumbetës engjëlli i parë. Atëherë shpërtheu breshër e zjarr përzier me gjak dhe u lëshua mbi tokë. Një e treta e tokës u dogj bashkë me një të tretën e pemëve dhe me gjithë barin e gjelbër.

8. I ra trumbetës engjëlli i dytë. Atëherë diçka si shkëmb i madh që digjej zjarr u lëshua në det. Një e treta e detit u bë gjak,

9. një e treta e gjallesave të detit ngordhi dhe një e treta e anijeve u shkatërrua.

10. I ra trumbetës engjëlli i tretë. Atëherë një yll i madh që digjej si pishtar, ra nga qielli mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.

11. Emri i yllit ishte Pelin. Një e treta e ujërave u bë e hidhur si pelini dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat e hidhur.

12. I ra trumbetës engjëlli i katërt. Atëherë u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që të errësohej një e treta e tyre. Kështu dita humbi një të tretën e ndriçimit, po ashtu edhe nata.

13. Pastaj pashë dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte në mes të qiellit duke thirrur me zë të lartë: «Mjerë! Mjerë! Mjerë banorët e tokës, kur të dëgjojnë tingullin e trumbetave të tjera, të cilave do t’u bien tre engjëjt!».

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 8