Dhjata e Re

Veprat 1:11-20 Së Bashku (ALNT)

11. e u thanë: «Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezu, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell».

12. Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jerusalemit rreth një kilometër.

13. Kur hynë në qytet, shkuan te dhoma e sipërme e shtëpisë ku rrinin. Ata ishin Pjetri e Gjoni, Jakobi e Andrea, Filipi e Thomai, Bartolomeu e Mateu, Jakobi i Alfeut, Simon zelltari e Juda i Jakobit.

14. Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes, së bashku me disa gra, me Marinë, nënën e Jezuit e me vëllezërit e tij.

15. Në ato ditë, në të njëjtin vend ku ishin mbledhur rreth njëqind e njëzet veta, u ngrit Pjetri mes vëllezërve e tha:

16. «Vëllezër, duhej të përmbushej ajo pjesë e Shkrimit të shenjtë që Shpirti i Shenjtë e ka parathënë nëpërmjet Davidit për Judën, i cili u bë udhëheqësi i atyre që kapën Jezuin.

17. Juda ishte njëri prej nesh dhe kishte marrë pjesë në shërbesën tonë.

18. Ai bleu një arë me shpërblimin e mbrapshtisë së vet. Aty u përplas me kokë poshtë, iu ça barku e iu derdhën të gjitha zorrët.

19. Të gjithë banorët e Jerusalemit e morën vesh këtë gjë, prandaj ara u quajt në gjuhën e tyre ‘Hakeldama’, që do të thotë Ara e Gjakut.

20. Dhe ja se çfarë shkruhet në librin e Psalmeve: u shkretoftë shtëpia e tij e mos banoftë askush në të!dhe tjetërkush ia zëntë vendin!

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 1