Dhjata e Re

Romakëve 6:10-21 Së Bashku (ALNT)

10. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë.

11. Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu.

12. Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm që t’ju bëjë t’i bindeni dëshirave të tij.

13. Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie.

14. Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin e Moisiut, por nën hirin e Perëndisë.

15. Çfarë pra? A të mëkatojmë se nuk jemi nën ligjin e Moisiut, por nën hirin e Perëndisë? Larg qoftë!

16. A nuk e dini se, duke u bërë skllevër të dikujt dhe duke iu bindur atij, ju bëheni skllevër të atij që i bindeni, qoftë të mëkatit që të çon në vdekje, qoftë të bindjes ndaj Perëndisë që të çon në një jetë të drejtë?

17. Por i qofshim falë Perëndisë, sepse ju dikur ishit skllevër të mëkatit, ndërsa tani i jeni bindur me gjithë zemër mësimit që keni marrë.

18. Ju u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të drejtësisë së Perëndisë.

19. Po flas me shembuj njerëzorë, për shkak të natyrës suaj të dobët që nuk kupton. Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të ndyrësisë dhe të paudhësisë që të çojnë në një jetë pa ligjin e Perëndisë, kështu tani t’i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë së Perëndisë, që të çon në një jetë të shenjtë.

20. Kur ishit skllevër të mëkatit, ju ishit të lirë për sa i përket drejtësisë së Perëndisë.

21. Çfarë fituat, pra, nga gjërat që bënit në atë kohë e për të cilat tani keni turp? Fundi i këtyre gjërave është vdekja.

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 6