Dhjata e Re

Marku 7:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Farisenjtë dhe skribët që kishin ardhur nga Jerusalemi shkuan pranë tij.

2. Ata panë disa prej dishepujve të tij që po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara.

3. Farisenjtë dhe të gjithë judenjtë nuk hanë pa i larë duart me kujdes deri në bërryl, sipas traditës së të parëve

4. dhe, pasi kthehen nga tregu, nuk hanë pa u larë. Janë edhe shumë gjëra të tjera, që sipas traditës duhet t’i ruajnë, si larje gotash, brokash, enësh bakri dhe shtretërish.

5. Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: «Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së të parëve, por hanë bukë me duar të palara?».

6. Por ai u tha:«Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju kur shkroi: Ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje.

7. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve.

8. Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t’iu përmbajtur traditës së njerëzve».

9. Dhe u tha: «Ju shpërfillni pa të keq urdhërimin e Perëndisë, për të mbajtur traditën tuaj.

10. Në të vërtetë Moisiu ka thënë: Ndero babanë tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për babanë e nënën, të dënohet me vdekje.

11. Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë babait ose nënës se ndihmën që do t’ju jepja, po e bëj korban - që do të thotë dhuratë për Perëndinë -

12. atëherë ai është i çliruar nga detyrimi për të ndihmuar babanë ose nënën.”

Lexoni kapitullin e plotë Marku 7