Dhjata e Re

Marku 14:3-20 Së Bashku (ALNT)

3. Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar, që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit.

4. Aty gjendeshin disa veta, që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës?

5. Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë dhe këto t’u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan.

6. Por Jezui u tha:«Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë.

7. Të varfrit i keni gjithmonë me ju dhe mund t’u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë.

8. Ajo bëri atë që kishte mundësi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim.

9. Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».

10. Atëherë Judë Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë, që t’ua dorëzonte Jezuin.

11. Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.

12. Ditën e parë të Festës së Bukëve të Pambrujtura, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?».

13. Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij dhe u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni

14. dhe atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”.

15. Dhe në katin e sipërm ai do t’ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën».

16. Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën darkën e Pashkës.

17. Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët.

18. Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë».

19. Ata filluan të trishtohen dhe i thoshin një nga një: «Mos jam unë?»

20. Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14