Dhjata e Re

Luka 23:21-33 Së Bashku (ALNT)

21. por ata bërtisnin e thoshin: «Kryqëzoje, kryqëzoje!».

22. Për të tretën herë ai u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë? Nuk kam gjetur tek ai asnjë faj për ta dënuar me vdekje, prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj».

23. Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me britma të mëdha që të kryqëzohej. Ulërimat e tyre bëheshin gjithnjë e më të forta.

24. Atëherë Pilati vendosi që t’u plotësohej kërkesa.

25. Liroi njeriun që kishin kërkuar, atë që ishte futur në burg për kryengritje dhe vrasje, dhe u dorëzoi Jezuin, siç dëshironin ata.

26. Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën një farë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit.

27. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin dhe qanin për të,

28. por Jezui u kthye drejt tyre dhe u tha:«Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj.

29. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”

30. Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: “bini mbi ne” dhe kodrave: “na mbuloni!”.

31. Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?».

32. Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t’i kryqëzuar bashkë me Jezuin.

33. Kur arritën te vendi që quhej ‘Kafka’, kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetrin në të majtë të tij.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 23