Dhjata e Re

Luka 22:27-39 Së Bashku (ALNT)

27. Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.

28. Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia

29. dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im,

30. që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.»

31. «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t’ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin,

32. por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu».

33. Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg dhe në vdekje».

34. Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».

35. Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë dhe pa sandale, a ju mungoi gjë?».Ata i thanë: «Asgjë».

36. Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t’i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë mantelin e vet dhe të blejë një shpatë.

37. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet Shkrimi i shenjtë që thotë: U radhit me të paudhët. E me të vërtetë, çfarë është thënë për mua po përmbushet».

38. Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata».Ai u përgjigj: «Është mjaft».

39. Jezui doli e shkoi në Malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 22