kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4

Dhjata e Re

Kolosianëve 2 Së Bashku (ALNT)

1. Dua t’ju bëj të njohur luftën e madhe që bëj për ju, për ata të Laodicesë dhe për të gjithë ata që nuk më kanë njohur personalisht.

2. Unë luftoj që zemrat e tyre të gjejnë ngushëllim, që ata të jetojnë të bashkuar me dashuri dhe të pasuruar me sigurinë që jep dija e plotë. Kështu ata mund të njohin të fshehtën e Perëndisë, Krishtin.

3. Në këtë mister gjenden të fshehura të gjitha thesaret e urtisë dhe të dijes.

4. Këtë jua them që të mos ju gënjejë askush me fjalë joshëse.

5. Edhe pse fizikisht nuk jam aty, shpirtërisht jam me ju dhe gëzohem kur shikoj rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.

Plotësia e jetës

6. Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të.

7. Tek ai t’i keni rrënjët dhe mbi atë ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje.

8. Kujdes se mos ju gënjen ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote dhe jo nga Krishti.

9. Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin

10. dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo autoritet dhe pushtet.

11. Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit.

12. Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve.

13. Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të idhujtarisë suaj, por Perëndia ju dha jetë dhe jua fali paudhësitë.

14. Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq.

15. Kështu Perëndia i çarmatosi autoritetet dhe pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.

16. Mos lejoni t’ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja apo të shtunash.

17. Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.

18. Mos lejoni që t’ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë, apo që këmbëngul në përulësi të jashtme dhe në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij të dobët njerëzore.

19. Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë.

Jeta e re me Krishtin

20. Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin dhe u çliruat nga fuqitë shpirtërore që sundojnë këtë botë, përse jetoni si t’i përkisnit botës? Përse u nënshtroheni rregullave, si:

21. «Mos e merr këtë!», «Mos e shijo atë!», apo «Mos e prek këtë!»?

22. Këto janë gjëra që janë caktuar për t’u kalbur pasi të përdoren, janë rregulla dhe mësime njerëzish.

23. Sigurisht, ato duken sikur kanë urti, sepse vishen me fetari sipas dëshirës së njerëzve, me përulësi dhe me një trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, përveçse kënaqin dëshirat e natyrës sonë njerëzore.