kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4

Dhjata e Re

Kolosianëve 4 Së Bashku (ALNT)

1. Ju zotërinj, jepuni skllevërve atë që u takon me të drejtë, duke e ditur se edhe ju e keni një Zot në qiell.

Porosi

2. Këmbëngulni dhe rrini zgjuar në lutje, duke falënderuar Perëndinë.

3. Lutuni edhe për ne, që Perëndia të na japë mundësi të tjera për të predikuar të fshehtën për Krishtin, për të cilin jam në burg.

4. Lutuni që predikimi im të jetë ashtu siç duhet.

5. Silluni me urti ndaj atyre që nuk besojnë në Krishtin, duke përdorur mirë çdo mundësi që ju jepet.

6. Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme dhe të urta, që të dini si t’i përgjigjeni gjithkujt.

Përshëndetjet e fundit

7. Tikiku, vëllai ynë i dashur dhe ndihmësi besnik, që i shërben Zotit bashkë me mua, do t’ju tregojë gjithçka për mua.

8. Unë e dërgova te ju për të parë gjendjen tuaj dhe për t’ju ngushëlluar zemrat.

9. Po e dërgoj bashkë me Onesimin, vëllain tonë besnik dhe të dashur, që është një nga ju. Ata do t’ju tregojnë gjithçka që ndodh këtu.

10. Ju përshëndet Aristarku, që është i burgosur bashkë me mua dhe Marku, nipi i Barnabës, për të cilin ju kemi porositur që ta prisni mirë kur të vijë te ju.

11. Ju përshëndet edhe Jezui, që e thërrasin Just. Këta janë të vetmit nga të krishterët e rrethprerë që bashkëpunojnë me mua për përhapjen e mbretërisë së Perëndisë dhe që më janë bërë ngushëllim.

12. Ju përshëndet Epafrai, që është një nga ju dhe që është shërbëtor i Krishtit Jezu. Ai lutet gjithnjë për ju që të qëndroni të përsosur dhe të kryeni plotësisht vullnetin e Perëndisë.

13. Unë ju siguroj se ai mundohet shumë për ju dhe për ata në Laodice dhe në Hierapojë.

14. Ju përshëndesin Luka, mjeku i dashur, dhe Dema.

15. Përshëndetni vëllezërit besimtarë në Laodice, Nimfain dhe kishën që mblidhet në shtëpinë e tij.

16. Kur ta keni lexuar këtë letër, dërgojuani edhe atyre të kishës në Laodice që ta lexojnë. Po ashtu edhe ju merreni dhe lexoni letrën që kam dërguar në Laodice.

17. I thoni Arkipit: «Kujdes dhe kryeje mirë shërbesën që more nga Zoti».

18. Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time.Kujtoni prangat e mia.Hiri qoftë me ju!