Dhjata e Re

Juda 1:4-10 Së Bashku (ALNT)

4. Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar që moti për këtë dënim. Ata janë të pafe, që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues dhe Zot tonin.

5. Ndonëse i dini të gjitha, dua t’ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij njëherë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin.

6. Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe.

7. Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar.

8. Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore.

9. Kur debatonte me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!».

10. Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre.

Lexoni kapitullin e plotë Juda 1