Dhjata e Re

Jakobi 4:1-13 Së Bashku (ALNT)

1. Nga vijnë luftërat dhe grindjet mes jush? A nuk vijnë nga epshet që luftojnë në gjymtyrët tuaja?

2. Ju lakmoni, por nuk keni. Pastaj vrisni dhe keni smirë, por gjë nuk fitoni. Grindeni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni nga Perëndia.

3. Kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni me qëllim të keq, që t’i përdorni për epshet tuaja.

4. O njerëz të pafe! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai që dëshiron të jetë mik me botën, bëhet armik me Perëndinë.

5. Mos vallë pandehni se Shkrimi i shenjtë thotë më kot se shpirti i vendosur nga Perëndia brenda nesh, priret drejt smirës?

6. Por, Perëndia na jep edhe më shumë hir, prandaj thuhet: Perëndia u kundërvihet krenarëve, ndërsa të përulurve u jep hir.

7. Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju.

8. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet. Pastroni duart, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o njerëz me dy mendje!

9. Pikëllohuni, vajtoni dhe qani! E qeshura juaj të kthehet në vajtim dhe gëzimi në trishtim.

10. Përuluni para Zotit dhe ai do t’ju lartësojë.

11. Mos flisni keq për njëri-tjetrin, o vëllezër! Ai që flet keq për vëllain apo e gjykon atë, flet keq për ligjin e Mosiut dhe e gjykon atë ligj. Nëse gjykon ligjin e Mosiut, nuk je zbatues i këtij ligji, por gjykues i tij.

12. Vetëm njëri është ligjvënësi dhe gjykuesi, ai që mund të shpëtojë apo të çojë në humbje. Po ti, kush je që gjykon tjetrin?

13. Dhe tani më dëgjoni ju që thoni: «Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, do të rrimë atje një vit, do të bëjmë tregti dhe do të fitojmë».

Lexoni kapitullin e plotë Jakobi 4