Dhjata e Re

Gjoni 19:15-25 Së Bashku (ALNT)

15. Por ata thirrën: «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!».Pilati u tha: «Mbretin tuaj të kryqëzoj?».Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: «Ne nuk kemi mbret tjetër, përveç Cezarit».

16. Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej.Kështu, ata e morën Jezuin.

17. Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur ‘Kafka’, që në hebraisht quhet ‘Golgota’.

18. Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin në mes të tyre.

19. Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve».

20. Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, sepse vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht dhe greqisht.

21. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj “Mbreti i judenjve”, por shkruaj “Ky ka thënë: Jam mbreti i judenjve”».

22. Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova».

23. Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte i paqepur, një copë e gjitha e endur nga lart deri poshtë.

24. Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t’i takojë». Kjo, që të përmbushej pjesa e Shkrimit të shenjtë që thotë: I ndanë rrobat e mia mes tyre dhe hodhën short për mantelin tim.Dhe ushtarët kështu bënë.

25. Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 19