Dhjata e Re

Galatasve 5:1-13 Së Bashku (ALNT)

1. Krishti na çliroi që të jemi të lirë. Prandaj qëndroni fort dhe mos iu nënshtroni përsëri zgjedhës së skllavërisë.

2. Ja, unë Pali po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju vlejë aspak.

3. Përsëri dëshmoj se çdo njeri që rrethpritet është i detyruar të zbatojë tërë ligjin e Moisiut.

4. Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë.

5. Sepse në Shpirtin e Shenjtë, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë.

6. Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë.

7. Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës?

8. Ato që ju kanë thënë për t’ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri.

9. Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi.

10. Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin.

11. Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më shkak për skandal.

12. U tredhshin e u gjymtofshin ata që po ju trazojnë.

13. Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të trupit, por t’i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri.

Lexoni kapitullin e plotë Galatasve 5