Dhjata e Re

Filipianëve 1:12-29 Së Bashku (ALNT)

12. Tani, o vëllezër, dëshiroj ta dini se ajo që më ka ndodhur mua, ka ndihmuar më shumë në përparimin e ungjillit.

13. Kështu, mbarë pretoriumi dhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar qartë se unë jam në pranga për Krishtin.

14. Pjesa më e madhe e vëllezërve besimtarë morën zemër në Zotin nga prangat e mia dhe e shpallën fjalën e Perëndisë më me guxim e pa frikë.

15. Është e vërtetë që disa e predikojnë Krishtin edhe nga smira e rivaliteti ndaj meje, por disa të tjerë e predikojnë nga vullneti i mirë.

16. Këta e shpallin Krishtin nga dashuria, sepse e dinë se jam ngarkuar nga Perëndia për të mbrojtjur ungjillin,

17. ndërsa ata të tjerët e predikojnë Krishtin nga rivaliteti, pa sinqeritet, duke menduar se kështu i shtojnë më tepër vuajtje prangosjes sime.

18. Ç’rëndësi ka? Sido që të jetë, me hipokrizi a me sinqeritet, Krishti predikohet e për këtë gëzohem.Dhe përsëri do të gëzohem,

19. sepse e di se përmes lutjeve tuaja dhe me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë të Jezu Krishtit kjo gjë do të sjellë shpëtimin tim.

20. Këtë pres me padurim dhe shpresoj që të mos turpërohem në asgjë, por me shumë guxim, si gjithmonë edhe tani, e madhëroj Krishtin në trupin tim, qoftë përmes jetës, qoftë përmes vdekjes.

21. Sa për mua jeta është Krishti dhe vdekja është fitim.

22. Por, nëse jeta ime në këtë botë jep fryte të dobishme, atëherë nuk di ç’të zgjedh.

23. Jam ndërdyshas: nga njëra anë dua të largohem nga kjo botë e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjëja më e mirë;

24. nga ana tjetër, nëse qëndroj në këtë botë, kjo është më e nevojshme për ju.

25. Për këtë jam i bindur dhe e di se do të qëndroj në këtë botë e do të vazhdoj të jem me ju të gjithë, që t’ju ndihmoj të përparoni dhe të gjeni gëzimin që sjell besimi.

26. Kështu prania ime mes jush do t’ju bëjë edhe më krenarë për besimin në Krishtin Jezu.

27. Por ju, jetoni në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit, që edhe nëse vij e ju shoh, edhe nëse jam larg jush e dëgjoj për ju, të dëgjoj se qëndroni të fortë në një shpirt dhe se luftoni së bashku me një mendje, për besimin e ungjillit.

28. Mos u frikësoni aspak nga kundërshtarët. Kjo gjë tregon se ata po shkojnë drejt humbjes, ndërsa ju drejt shpëtimit që vjen prej Perëndisë.

29. Juve ju është dhënë hiri t’i shërbeni Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe që të vuani për të,

Lexoni kapitullin e plotë Filipianëve 1