Dhjata e Re

1 Timoteut 1:7-19 Së Bashku (ALNT)

7. Ata duan të jenë mësues të ligjit të Moisiut, pa kuptuar as ato që thonë, as ato që pohojnë me kaq siguri.

8. Ne e dimë se ligji i Moisiut është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet.

9. Po ashtu e dimë se ligji i Moisiut nuk u dha për të drejtin, po për shkelësit dhe të pabindurit, për të ligjtë dhe mëkatarët, për të pafetë dhe profanët, për ata që vrasin babë e nënë, për vrasësit,

10. për kurvarët, për meshkujt që shkojnë me meshkuj, për pengmarrësit, për gënjeshtarët, për ata që bëjnë be të rreme dhe çfarëdo gjëje tjetër që kundërshton mësimin e shëndoshë.

11. Ky mësim është sipas ungjillit të lavdisë së të lumit Perëndi, ungjill që m’u besua mua.

12. I jam mirënjohës Krishtit Jezu, Zotit tonë, që më dha fuqi, sepse më çmoi besnik dhe më vuri në shërbim të tij,

13. ndonëse më përpara e kisha fyer, përndjekur dhe sharë. Por ai më mëshiroi sepse veprova nga padija, kur isha larg besimit të vërtetë.

14. Hiri i Zotit tonë m’u dha me tepricë bashkë me besimin dhe dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.

15. Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht: Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.

16. Por prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të shfaqë në mua së pari tërë durimin, si shembull për ata që do të besojnë në të për jetën e amshuar.

17. Prandaj Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi, i qoftë nder dhe lavdi në shekuj të shekujve! Amen!

18. Këtë detyrë po ta besoj ty, o biri im Timote, sipas profecive që janë thënë për ty. Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë!

19. Ruaje besimin dhe ndërgjegjen e pastër, që disa e hodhën tej dhe e mbytën kështu anijen e besimit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Timoteut 1