Dhjata e Re

1 Timoteut 1:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, sipas urdhërit të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe Krishtit Jezu, shpresës sonë,

2. po të shkruaj ty Timote, birit të vërtetë në besim:Hiri, mëshira dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Jezu Krishti, Zoti ynë, qofshin me ty!

3. Ashtu si të porosita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes dhe urdhëroi disa të mos u mësojnë besimtarëve një mësim tjetër

4. dhe të mos merren me mite dhe gjenealogji pafund, të cilat shkaktojnë grindje dhe nuk i shërbejnë planit shpëtimtar të Perëndisë, që e njohim përmes besimit.

5. Synimi i këtij urdhri është dashuria që vjen nga një zemër e dëlirë, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga një besim pa hipokrizi.

6. Disa, duke shmangur këto gjëra, janë kthyer te bisedat pa kuptim.

7. Ata duan të jenë mësues të ligjit të Moisiut, pa kuptuar as ato që thonë, as ato që pohojnë me kaq siguri.

8. Ne e dimë se ligji i Moisiut është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet.

9. Po ashtu e dimë se ligji i Moisiut nuk u dha për të drejtin, po për shkelësit dhe të pabindurit, për të ligjtë dhe mëkatarët, për të pafetë dhe profanët, për ata që vrasin babë e nënë, për vrasësit,

10. për kurvarët, për meshkujt që shkojnë me meshkuj, për pengmarrësit, për gënjeshtarët, për ata që bëjnë be të rreme dhe çfarëdo gjëje tjetër që kundërshton mësimin e shëndoshë.

11. Ky mësim është sipas ungjillit të lavdisë së të lumit Perëndi, ungjill që m’u besua mua.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Timoteut 1