kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5

Dhjata e Re

1 Pjetrit 3 Së Bashku (ALNT)

Bashkëshortet dhe bashkëshortët

1. Edhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj! Kështu, edhe nëse disa nuk i binden fjalës së Perëndisë do të fitohen nga sjellja e grave të tyre pa ndihmën e fjalëve,

2. kur të shohin sjelljen tuaj të pastër dhe me respekt.

3. Stolia juaj të mos jetë nga ana e jashtme: flokët gërsheta, stolisja me ar apo veshja e rrobave të shtrenjta,

4. por të jetë njeriu i brendshëm me zemër të pastër dhe me shpirt të butë e të qetë. Këto nuk prishen dhe janë shumë të çmueshme në sytë e Perëndisë.

5. Sepse kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë. Iu nënshtroheshin burrave,

6. sikurse edhe Sara i bindej Abrahamit dhe e quante ‘imzot’. Edhe ju jeni bija të saj, nëse bëni të mirën dhe nuk keni frikë nga asgjë.

7. Po ashtu edhe ju, burra, jetoni me gratë tuaja, duke pasur parasysh se ato janë më të dobëta. Nderojini, sepse edhe ato do të trashëgojnë bashkë me ju hirin e jetës, në mënyrë që asgjë të mos pengojë lutjet tuaja.

Vuajtja për hir të drejtësisë

8. Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe të përulur.

9. Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe as poshtërimin me poshtërim! Përkundrazi, bekoni, sepse u thirrët pikërisht për të trashëguar bekimin.

10. Shkrimi i shenjtë thotë: Kush e do jetën dhe dëshiron të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët e tij të mos thonë gënjeshtra.

11. Le të largohet nga e keqja dhe le të bëjë të mirën. Le të kërkojë paqen dhe le të rendë pas saj.

12. Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë lutjet e tyre, por ai u kundërvihet atyre që bëjnë keq.

13. E kush do t’ju bëjë keq nëse jepeni me zell pas së mirës?

14. Por edhe nëse vuani për hir të drejtësisë, lum ju! Mos kini frikë nga kërcënimet e tyre dhe mos u tronditni.

15. Nderoni në zemrat tuaja Zotin Krisht dhe jini gjithmonë gati për t’ju përgjigjur atyre që kërkojnë arsyen e shpresës që është në ju.

16. Por bëjeni këtë me butësi, me druajtje ndaj Perëndisë dhe me ndërgjegje të pastër, në mënyrë që ata që flasin keq për jetën tuaj si besimtarë në Krishtin, të turpërohen për shpifjet.

17. Është më mirë të vuani duke bërë të mirën, nëse ky është vullneti i Perëndisë, sesa duke bërë të keqen.

18. Sepse edhe Krishti vuajtinjë herë e përgjithmonëpër mëkatet tona,ai, i drejti për të padrejtët,për t’ju çuar te Perëndia.Ai vdiq me trup,por Shpirti i Shenjtëe ngjalli.

19. Me anë të Shpirtit, ai shkoi dhe u predikoi edhe shpirtrave që ishin në burg,

20. të cilët nuk iu bindën Perëndisë kur ai i priste me durim gjatë ditëve kur Noeu ndërtonte arkën. Në të hynë pak njerëz, vetëm tetë shpirtra, që shpëtuan nëpërmjet ujit.

21. Ky ujë është shëmbëllesa e sotme e pagëzimit që ju shpëton. Nuk ka të bëjë me pastrimin e papastërtive të trupit, por është një premtim që i bëhet me ndërgjegje të pastër Perëndisë. Pagëzimi ju shpëton nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit,

22. i cili u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Perëndisë, ku sundon mbi engjëjt, pushtetet dhe fuqitë qiellore.