kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5

Dhjata e Re

1 Pjetrit 4 Së Bashku (ALNT)

Kujdestarë të mirë të hirit të Perëndisë

1. Meqenëse Krishti vuajti në trup, atëherë duhet që edhe ju të armatoseni me të njëjtën mendësi, sepse ai që vuan në trup pushon së mëkatuari.

2. Që tani e tutje ta jetoni atë që ju ka mbetur nga jeta në trup jo sipas kënaqësive njerëzore, por sipas vullnetit të Perëndisë.

3. Mjaft kohë keni humbur duke jetuar sipas dëshirave të paganëve, duke jetuar në fëlligështi, në kënaqësi, në dehje, në darka të shfrenuara, në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.

4. Tani atyre u duket çudi që ju nuk rendni më me ta në të njëjtin lumë poshtërsish dhe prandaj ju fyejnë.

5. Ata do t’i japin llogari atij që është gati për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.

6. Për këtë arsye ungjilli iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen sipas njerëzve në trup dhe të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt.

7. Fundi i të gjitha gjërave është afër! Bëhuni të urtë dhe rrini zgjuar për lutje.

8. Para së gjithash, të keni dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon shumë mëkate.

9. Jini mikpritës për njëri-tjetrin pa murmuritur.

10. Secili prej jush, si kujdestar i mirë i dhuntive të ndryshme të Perëndisë, ta përdorë dhuntinë e tij për t’u shërbyer të tjerëve.

11. Kush predikon, le të predikojë fjalët e Perëndisë dhe kush shërben, le të shërbejë sipas fuqisë që i jep Perëndia, që Perëndia të përlëvdohet në gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia dhe pushteti në shekuj të shekujve! Amen!

Vuajtja e të krishterëve

12. Fort të dashur, mos u çuditni për sprovën e zjarrit nëpër të cilën po kaloni për t’u sprovuar, si të ishte diçka e jashtëzakonshme.

13. Por gëzohuni që jeni pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit, që edhe kur të shfaqet lavdia e tij, të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.

14. Lum ju nëse ju tallin për shkak të emrit të Krishtit, sepse Shpirti i lavdisë dhe i Perëndisë prehet mbi ju.

15. Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës apo pse përzihet në punët e të tjerëve.

16. Nëse vuan si i krishterë, të mos ketë turp, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër.

17. Erdhi koha që të fillojë gjykimi nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë?

18. Nëse i drejti shpëton me vështirësi, ç’do të ndodhë me të pafeun dhe mëkatarin?

19. Ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le të bëjnë të mirën dhe le t’ia besojnë plotësisht shpirtin Krijuesit besnik.