Dhjata e Re

1 Gjonit 4:10-17 Së Bashku (ALNT)

10. Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona.

11. Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.

12. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.

13. Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij.

14. Ne kemi parë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës.

15. Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.

16. Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne.Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të.

17. Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Gjonit 4