kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5

Dhjata e Re

1 Gjonit 4 Së Bashku (ALNT)

Shpirti i Perëndisë dhe shpirti i antikrishtit

1. Fort të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për të parë nëse janë nga Perëndia ose jo, sepse në botë kanë dalë shumë profetë të rremë.

2. Shpirtin e Perëndisë do ta njihni nga kjo gjë: çdo shpirt që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur me trup njerëzor, është nga Perëndia.

3. Çdo shpirt që nuk e rrëfen Jezuin, nuk është nga Perëndia. Ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vjen dhe, madje, tashmë ai është në botë.

4. Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse Shpirti që është në ju është më i madh se ai që është në botë.

5. Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon.

6. Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Nga kjo gjë do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit.

Perëndia është dashuri

7. Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.

8. Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.

9. Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij.

10. Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona.

11. Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.

12. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.

13. Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij.

14. Ne kemi parë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës.

15. Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.

16. Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne.Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të.

17. Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai.

18. Në dashuri nuk ka frikë, madje, dashuria e përsosur e dëbon frikën. Frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri.

19. Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.

20. Po të thotë ndonjë: «Unë e dua Perëndinë», por urren vëllanë e vet, ai është gënjeshtar. Në fakt kush nuk do vëllanë të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e ka parë.

21. Këtë urdhërim kemi prej tij: kush e do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.