Dhjata e Re

1 Gjonit 2:17-29 Së Bashku (ALNT)

17. Bota me gjithë kënaqësitë e saj shkojnë, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në amshim.

18. Bijtë e mi, po vjen ora e fundit! Siç keni dëgjuar, antikrishti po vjen. Tani ka shumë antikrishtë dhe nga kjo e dimë se po vjen ora e fundit.

19. Nga ne dolën, por nuk ishin nga tanët. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne, por ikën prej nesh që të duket qartë se të gjithë ata nuk janë nga tanët.

20. Ju jeni vajosur nga Shpirti i Shenjtë, prandaj të gjithë e dini të vërtetën.

21. Nuk ju shkrova ngaqë nuk e njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe e dini se asnjë gënjeshtër nuk vjen nga e vërteta.

22. Kush është gënjeshtari, pra? A nuk është ai që mohon se Jezui është Krishti? Ai është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin.

23. Ai që mohon Birin, nuk e ka as Atin. Ai që e rrëfen Birin, e ka edhe Atin.

24. Le të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi. Po të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi, atëherë edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.

25. Dhe ky është premtimi që na ka bërë ai: jeta e amshuar.

26. Këto gjëra jua shkrova për shkak të atyre që kërkojnë t’ju mashtrojnë.

27. Sa për ju, vajosja që morët prej Krishtit qëndron në ju dhe nuk ka nevojë t’ju mësojë kush. Vajosja i tij ju mëson për gjithçka. Krishti është i vërtetë dhe nuk është i gënjeshtërt. Prandaj qëndroni në të ashtu siç ju mësoi.

28. Dhe tani, bijtë e mi, qëndroni në të, që kur ai të shfaqet në ardhjen e tij, të kemi siguri të plotë dhe të mos turpërohemi para tij.

29. Përderisa e dini që Krishti është i drejtë atëherë duhet të dini edhe se kushdo që vepron me drejtësi ka lindur prej tij.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Gjonit 2