Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Malakia 2:3-12 Bibla Shqip (ALBB)

3. Ja, unë do ta shaj farën tuaj, do të hedh jashtëqitje mbi fytyrat tuaja, jashtëqitjet e festave tuaja solemne, dhe ju do t'ju marrin bashkë me to.

4. Atëherë do të pranoni që unë ju kam dërguar këtë urdhërim, me qëllim që besëlidhja ime me Levin të mund të vazhdojë", thotë Zoti i ushtrive.

5. "Besëlidhja ime me të ishte një besëlidhje jete dhe paqeje, që unë ia dhashë që të ketë frikë prej meje; dhe ai më pati frikë dhe u tmerrua para emrit tim.

6. Ligji i së vërtetës ishte në gojën e tij dhe asnjë çoroditje nuk gjendej mbi buzët e tij; ai ecte bashkë me mua në paqe e në ndershmëri dhe shpëtoi shumë njerëz nga paudhësia.

7. Sepse buzët e priftit duhet të ruajnë diturinë dhe nga goja e tij secili duhet të kërkojë ligjin, sepse ai është lajmëtari i Zotit të ushtrive.

8. Përkundrazi ju jeni larguar nga rruga, keni bërë që shumë njerëz të pengohen te ligji, keni dhunuar besëlidhjen e Levit", thotë Zoti i ushtrive.

9. "Për këtë arsye ju kam bërë të përbuzshëm dhe të neveritshëm përpara gjithë popullit, sepse nuk keni respektuar rrugët e mia dhe keni qenë të njëanshëm në zbatimin e ligjit".

10. A nuk kemi të gjithë të njëjtin Atë? A nuk na ka krijuar i njëjti Perëndi? Pse, pra, veprojmë me pabesi me njëri-tjetrin, duke përdhosur besëlidhjen e etërve tanë?

11. Juda ka vepruar me pabesi dhe një veprim i neveritshëm është kryer në Izrael dhe në Jeruzalem, sepse Juda ka përdhosur vendin e shenjtë të Zotit, që ai e do dhe është martuar me bijën e një perëndie të huaj.

12. Zoti do të shfarosë nga çadrat e Jakobit atë që vepron në këtë mënyrë, atë që përgjon, atë që përgjigjet dhe atë që i ofron një blatim Zotit të ushtrive.

Lexoni kapitullin e plotë Malakia 2