Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 6:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe Zotit i dha në duart e Midianit shtatë vjet me radhë.

2. Dora e Midianit u bë e fortë kundër Izraelit; nga frika e midianitëve, bijtë e Izraelit bënë shpella në male, si dhe guva dhe fortesa.

3. Kur Izraeli mbaronte së mbjelli, midianitët bashkë me amalekitët dhe bijtë e lindjes niseshin kundër tij,

4. e ngrinin kampin e tyre kundër izraelitëve, shkatërronin të gjitha prodhimet e vendit deri në Gaza dhe nuk linin në Izrael as mjete jetese, as dhen, as lopë, as gomarë.

5. Sepse niseshin me bagëtinë e tyre dhe me çadrat e tyre, dhe arrinin të shumtë si karkalecat; ata dhe devetë e tyre ishin të panumërt dhe vinin në vend për ta shkatërruar.

6. Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të Midianit, dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit.

7. Kur bijtë e Izraelit e thirrën Zotin për shkak të Midianit,

8. Zoti u dërgoi bijve të Izraelit një profet, që u tha atyre: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë;

9. ju çlirova nga dora e egjiptasve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin; i dëbova para jush dhe ju dhashë vendin e tyre,

10. dhe ju thashë: "Unë jam Zoti, Perëndia i juaj; mos kini frikë nga perënditë e amorenjve në vendin e të cilëve banoni"; por ju nuk ma keni dëgjuar fjalën".

11. Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, abiezeritit, ndërsa biri i tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga midianitët.

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 6