kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 6 Bibla Shqip (ALBB)

1. Bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe Zotit i dha në duart e Midianit shtatë vjet me radhë.

2. Dora e Midianit u bë e fortë kundër Izraelit; nga frika e midianitëve, bijtë e Izraelit bënë shpella në male, si dhe guva dhe fortesa.

3. Kur Izraeli mbaronte së mbjelli, midianitët bashkë me amalekitët dhe bijtë e lindjes niseshin kundër tij,

4. e ngrinin kampin e tyre kundër izraelitëve, shkatërronin të gjitha prodhimet e vendit deri në Gaza dhe nuk linin në Izrael as mjete jetese, as dhen, as lopë, as gomarë.

5. Sepse niseshin me bagëtinë e tyre dhe me çadrat e tyre, dhe arrinin të shumtë si karkalecat; ata dhe devetë e tyre ishin të panumërt dhe vinin në vend për ta shkatërruar.

6. Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të Midianit, dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit.

7. Kur bijtë e Izraelit e thirrën Zotin për shkak të Midianit,

8. Zoti u dërgoi bijve të Izraelit një profet, që u tha atyre: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë;

9. ju çlirova nga dora e egjiptasve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin; i dëbova para jush dhe ju dhashë vendin e tyre,

10. dhe ju thashë: "Unë jam Zoti, Perëndia i juaj; mos kini frikë nga perënditë e amorenjve në vendin e të cilëve banoni"; por ju nuk ma keni dëgjuar fjalën".

11. Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, abiezeritit, ndërsa biri i tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga midianitët.

12. Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!".

13. Gedeoni iu përgjigj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Midianit".

14. Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?".

15. Ai iu përgjigj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim".

16. Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur midianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm".

17. Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua.

18. Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti".

19. Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi.

20. Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçtë pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu.

21. Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçtë pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçtë pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij.

22. Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: "Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!".

23. Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s'ke për të vdekur!".

24. Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jehovah Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e abiezeritëve.

25. Po atë natë Zoti i tha: "Merr demin e atit tënd dhe demin e dytë shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që i përket atit tënd, dhe rrëzo Asherahun që i qëndron afër;

26. pastaj ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd, në majë të këtij shkëmbi sipas rregullit të caktuar; pastaj merr demin e dytë dhe ofroje si holokaust mbi lëndën e drurit të Asherahut që do të kesh rrëzuar".

27. Atëherë Gedeoni mori dhjetë burra në mes të shërbëtorëve të tij dhe veproi ashtu siç i kishte thënë Zoti; por me qenë se kishte frikë nga shtëpia e atit të tij dhe nga njerëzit e qytetit, në vend që ta bënte këtë punë ditën, e bëri natën.

28. Kur të nesërmen në mëngjes njerëzit e qytetit u ngritën, panë që altari i Baalit ishte shembur, që Asherahu që ndodhej pranë tij ishte rrëzuar dhe që demi i dytë ishte ofruar si holokaust mbi altarin që ishte ndërtuar.

29. Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Kush e bëri këtë?". Kur pastaj u informuan dhe pyetën, atyre u thanë: "Gedeoni, bir i Joashit, e bëri këtë".

30. Atëherë njerëzit e qytetit i thanë Joashit: "Nxirr jashtë birin tënd dhe të dënohet me vdekje se ka shembur altarin e Baalit dhe ka rrëzuar Asherahun që ndodhej pranë tij".

31. Joashi iu përgjigj të gjithë atyre që ishin ngritur kundër tij: "Ju doni ta mbroni çështjen e Baalit ose ta ndihmoni atë? Ai që do të kërkojë të mbrojë çështjen e tij do të vritet para mëngjesit të ditës së nesërme. Në rast se ai është zoti, le ta mbrojë vetë çështjen e tij, sepse i kanë shembur altarin e tij".

32. Prandaj atë ditë Gedeoni u mbiquajt Jerubaal, sepse u tha: "Le të jetë Baali që të luftojë kundër tij, sepse ai ia ka shembur atij altarin".

33. Tërë midianitët, amalekitët dhe bijtë e lindjes u mblodhën, kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jezreelit.

34. Por Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni që i ra borisë; dhe abiezeritët u thirrën që t'i shkonin pas.

35. Ai dërgoi lajmëtarë edhe në tërë Manasin, i cili u thirr gjithashtu që t'i shkonte pas; dërgoi lajmëtarë edhe te fiset e Asherit, të Zabulonit dhe të Neftalit, të cilët u nisën për të takuar të tjerët.

36. Pastaj Gedeoni i tha Perëndisë: "Në rast se ke ndër mend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë,

37. ja, unë do të vë një gëzof me lesh te lëmi: në rast se do të ketë vesë vetëm mbi gëzofin dhe gjithë vendi rreth e qark do të mbetet i thatë, atëherë do të kuptoj se ke ndërmend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, ashtu si ke thënë".

38. Dhe kështu ndodhi. Të nesërmen në mëngjes Gedeoni u ngrit herët, shtrydhi gëzofin dhe prej tij doli një kupë plot me ujë.

39. Por Gedeoni i tha akoma Perëndisë: Mos u ndeztë zemërimi yt kundër meje; unë do të flas edhe një herë. Më lër ta bëj provën edhe një herë tjetër vetëm. Le të mbetet i thatë vetëm gëzofi dhe të ketë vesë mbi të gjithë vendin rreth e qark".

40. Dhe Perëndia veproi ashtu atë natë; vetëm gëzofi mbeti i thatë, dhe pati vesë mbi të gjithë tokën rreth e qark.