kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 22 Bibla Shqip (ALBB)

1. Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.

2. I pasuri dhe i varfri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.

3. Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.

4. Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.

5. Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.

6. Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.

7. I pasuri sundon mbi të varfrit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.

8. Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjësohet.

9. Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfrit.

10. Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.

11. Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.

12. Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.

13. Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".

14. Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.

15. Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.

16. Ai që shtyp të varfrin për t'u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.

17. Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.

18. sepse për ty do të jetë e këndshme t'i ruash në intimitetin tënd dhe t'i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.

19. Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.

20. A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,

21. në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t'u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?

22. Mos e vidh të varfrin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,

23. sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t'u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.

24. Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,

25. që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.

26. Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.

27. Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?

28. Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.

29. A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.