Dhjata e Re

Zbulesa 20:1-14 Së Bashku (ALNT)

1. Pastaj pashë një engjëll që zbriste nga qielli. Ai kishte çelësin e humnerës dhe në dorë mbante një zinxhir të madh.

2. Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është Djalli dhe Satani dhe e lidhi për njëmijë vjet.

3. E hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi, që të mos mashtronte më kombet, derisa të mbusheshin njëmijë vjet. Më pas duhej të zgjidhej edhe për pak kohë.

4. Pastaj pashë disa frone. Atyre që u ulën mbi to iu dha pushteti të gjykojnë. Pashë edhe shpirtrat e atyre që ishin therur për dëshminë e Jezuit dhe për fjalën e Perëndisë, që nuk e kishin adhuruar bishën e as shëmbëlltyrën e saj dhe nuk e kishin marrë damkën në ballë e në dorë. Ata u kthyen në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për njëmijë vjet.

5. Të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë, derisa u mbushën njëmijë vjet. Kjo është ngjallja e parë.

6. I lum dhe i shenjtë është ai që merr pjesë në ngjalljen e parë.Mbi ta nuk do të ketë pushtet vdekja e dytë, por do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të për njëmijë vjet.

7. Kur të mbushen të njëmijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu

8. dhe do të dalë të mashtrojë kombet në të katër qoshet e tokës, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë për luftë. Numri i tyre do të jetë sa rëra e detit.

9. Ata u përhapën anekënd tokës dhe rrethuan fushimin e besimtarëve të Krishtit dhe qytetin e dashur, por nga qielli zbriti flakë dhe i përpiu.

10. Atëherë djallin që i kishte mashtruar, e hodhën në liqenin e zjarrtë të squfurit, ku ishin edhe bisha me profetin e rremë. Atje do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve.

11. Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që rrinte ulur në të, para syve të të cilit ishin zhdukur toka dhe qielli e nuk shiheshin më.

12. Pashë edhe të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që qëndronin para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër, libri i jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas veprave të tyre, që ishin shkruar në libra.

13. Deti i ktheu të vdekurit që mbante. Po ashtu edhe vdekja e ferri i kthyen të vdekurit që kishin. Secili u gjykua sipas veprave.

14. Pastaj vdekja e ferri u hodhën në liqenin e zjarrit. Liqeni i zjarrit është vdekja e dytë.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 20