Dhjata e Re

Veprat 9:18-32 Së Bashku (ALNT)

18. Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua

19. dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia.Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask

20. e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë.

21. Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për t’u vënë prangat e për t’i çuar te kryepriftërinjtë?».

22. Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti.

23. Pasi kaluan disa ditë, judenjtë i ngritën kurth për ta vrarë,

24. por Sauli e mori vesh kurthin e tyre. Natë e ditë ata i ruanin portat e qytetit që ta vrisnin Saulin.

25. Atëherë dishepujt e tij e morën natën, e nxorën nga e çara e një muri dhe e zbritën me një kosh.

26. Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin që ai ishte dishepull.

27. Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit.

28. Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit.

29. Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin.

30. Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars.

31. Ndërkohë, në të gjithë Judenë, Galilenë e Samarinë, kisha kishte paqe dhe përparonte duke jetuar me druajtjen e Zotit e rritej me ngushëllimin e Shpirtit të Shenjtë.

32. Ndërsa Pjetri po përshkonte gjithë krahinat përreth, shkoi edhe te besimtarët e krishterë që jetonin në Lidë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 9