Dhjata e Re

Veprat 6:1-10 Së Bashku (ALNT)

1. Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, besimtarët greqishtfolës u ankuan ndaj besimtarëve hebraishtfolës, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit.

2. Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve dhe thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë.

3. Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirtin e Shenjtë e me urti, që t’i ngarkojmë me këtë detyrë.

4. Ne, nga ana jonë, do t’i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës».

5. Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve.

6. Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta.

7. Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin.

8. Stefani, njeri plot hir e fuqi, bënte mrekulli e shenja të mëdha në popull.

9. Atëherë, disa nga sinagoga e të ashtuquajturve libertinë, bashkë me disa kireneas, me disa aleksandrinë dhe me disa judenj nga Kilikia e Azia, filluan të debatonin me Stefanin.

10. Por ata nuk mundën t’i bënin ballë urtisë dhe Shpirtit të Shenjtë që i ndriçonte mendjen kur fliste.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 6