Dhjata e Re

Veprat 23:13-25 Së Bashku (ALNT)

13. Ata që u bashkuan me këtë kurth ishin më shumë se dyzet veta.

14. Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë dhe u thanë: «Ne jemi betuar me vendosmëri që të mos vëmë gjë në gojë derisa ta vrasim Palin.

15. Prandaj tani ju dhe sinedri duhet të njoftoni komandantin e kohortës që ta sjellë te ju, duke u hequr sikur doni ta hetoni më me imtësi. Ndërsa ne jemi të gatshëm ta vrasim para se të arrijë këtu».

16. Djali i motrës së Palit dëgjoi për këtë pritë. Ai shkoi te fortesa dhe e lajmëroi Palin.

17. Pali thirri njërin nga centurionët dhe i tha: «Dërgoje këtë djalosh te komandanti i kohortës, sepse ka diçka për t’i thënë».

18. Ai e mori, e çoi te komandanti dhe i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri dhe më kërkoi që ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë».

19. Komandanti e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?».

20. Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje që të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht.

21. Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd».

22. Atëherë komandanti i kohortës e nisi djaloshin dhe i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!».

23. Atëherë ai thirri dy nga centurionët dhe u tha: «Përgatituni për t’u nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë.

24. Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks!».

25. Pastaj shkroi këtë letër:

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 23