Dhjata e Re

Veprat 21:7-16 Së Bashku (ALNT)

7. Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit besimtarë dhe ndenjëm një ditë me ta.

8. Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai.

9. Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin.

10. Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab.

11. Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i Shenjtë: Kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez dhe do t’ua dorëzojnë paganëve».

12. Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem.

13. Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu».

14. Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!».

15. Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem.

16. Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 21