Dhjata e Re

Veprat 21:20-35 Së Bashku (ALNT)

20. Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit:«Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin e Moisiut.

21. Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes paganëve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat.

22. Si t’ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur.

23. Bëj, pra, këtë që të themi: Këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim.

24. Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin e Moisiut.

25. Ndërsa për paganët që kanë besuar kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria».

26. Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin.

27. Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën.

28. Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit të Moisiut dhe kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë paganë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë».

29. Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull.

30. Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert.

31. Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, komandantit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin.

32. Ai mori menjëherë disa ushtarë e centurionë dhe shkoi me nxitim drejt turmës.Kur pa turma komandantin e kohortës dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.

33. Atëherë u afrua komandanti, e kapi Palin dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë.

34. Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë.

35. Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 21