Dhjata e Re

Veprat 21:14-25 Së Bashku (ALNT)

14. Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!».

15. Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem.

16. Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai.

17. Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit besimtarë na pritën me gëzim.

18. Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës.

19. Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes paganëve, me anë të shërbesës së tij.

20. Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit:«Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin e Moisiut.

21. Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes paganëve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat.

22. Si t’ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur.

23. Bëj, pra, këtë që të themi: Këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim.

24. Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin e Moisiut.

25. Ndërsa për paganët që kanë besuar kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 21