Dhjata e Re

Romakëve 6:1-15 Së Bashku (ALNT)

1. Çfarë të themi, pra? A do të vazhdojmë të jetojmë në mëkat, që Perëndia të na japë më shumë hir?

2. Larg qoftë! Ne kemi vdekur për sa i përket mëkatit. E si mund të jetojmë ende në të?

3. Apo nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam për t’u bashkuar me Krishtin Jezu, u pagëzuam duke u bashkuar me vdekjen e tij?

4. Prandaj ne jemi varrosur me të përmes pagëzimit për t’u bashkuar me të në vdekjen e tij, në mënyrë që sikurse Krishti u ngjall prej të vdekurve përmes lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të mund të jetojmë një jetë të re.

5. Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij.

6. Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit.

7. Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati.

8. Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të.

9. Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të.

10. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë.

11. Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu.

12. Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm që t’ju bëjë t’i bindeni dëshirave të tij.

13. Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie.

14. Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin e Moisiut, por nën hirin e Perëndisë.

15. Çfarë pra? A të mëkatojmë se nuk jemi nën ligjin e Moisiut, por nën hirin e Perëndisë? Larg qoftë!

Lexoni kapitullin e plotë Romakëve 6