20. Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju.
21. Në qoftë se Perëndia nuk kurseu degët natyrore, ai nuk do të të kursejë as ty që u shartove.
22. Shih sesi e tregon Perëndia mirësinë dhe ashpërsinë e tij: ai është i ashpër me ata që ranë, por është i mirë me ty, nëse do të qëndrosh në mirësinë e tij. Përndryshe do të pritesh edhe ti.
23. Ndërsa ata, nëse nuk vazhdojnë të mos i besojnë Perëndisë, do të shartohen, sepse Perëndia ka fuqinë për t’i shartuar përsëri.
24. Në qoftë se ti je prerë prej një ulliri të egër nga natyra dhe përkundër natyrës u shartove në një ulli të butë, aq më tepër degët e ullirit të butë do të shartohen në trungun e vet!
25. O vëllezër, që të mos mbaheni për të mençur, dua që t’ju bëj të njohur këtë plan të fshehtë të Perëndisë: një pjesë e Izraelit do të vazhdojë në kokëfortësinë e tij, derisa të gjitha kombet e tjera të hyjnë në shpëtimin e Perëndisë.
26. Dhe kështu i gjithë Izraeli do të shpëtohet, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Çlirimtari do të vijë nga Sioni; dhe do ta zhdukë mosbesimin nga Jakobi.
27. Kjo është besëlidhja ime me ta, kur t’i fshij mëkatet e tyre.
28. Meqenëse ata e kundërshtuan ungjillin, u bënë armiq të Perëndisë dhe kjo për të mirën tuaj, ndërsa, duke u zgjedhur nga Perëndia, janë të dashur për shkak të etërve.
29. Thirrja dhe dhuratat e Perëndisë janë të pakthyeshme.
30. Ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, por tani keni marrë mëshirë për shkak të mosbindjes së tyre.
31. Po ashtu edhe këta tani nuk i binden Perëndisë, që për shkak të mëshirës që u tregua për ju, të gjejnë edhe ata mëshirë.
32. Perëndia i kyçi të gjithë në mosbindje, që të tregonte mëshirë për të gjithë.
33. O thellësi e pasurive, e urtisë dhe e njohjes së Perëndisë! Sa të padepërtueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!
34. Po kush e njohu mendjen e Zotit? Apo kush u bë këshilltar i tij?