Dhjata e Re

Mateu 9:15-27 Së Bashku (ALNT)

15. Jezui u tha:«A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë.

16. Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën dhe grisja bëhet më e madhe.

17. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja».

18. Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë dhe i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë».

19. Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt.

20. Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e mantelit.

21. Sepse thoshte me vete: «Sikur t’i prek vetëm mantelin, do të shpëtoj».

22. Jezui u kthye, e pa dhe i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua.

23. Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme,

24. Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën.

25. Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit.

26. Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën.

27. Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër, që thërrisnin: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 9