Dhjata e Re

Mateu 5:7-24 Së Bashku (ALNT)

7. Lum të mëshirshmit,se do të mëshirohen.

8. Lum të pastrit në shpirt,se do të shohin Perëndinë.

9. Lum paqebërësit,se do të quhen bij të Perëndisë.

10. Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,se e tyre është mbretëria e qiejve.

11. Lum ju kur t’ju shajnë e t’ju përndjekin dhe me gënjeshtra të thonë të gjitha të këqijat kundër jush, për shkak se keni besuar në mua.

12. Gëzohuni dhe ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej. Kështu përndoqën edhe profetët përpara jush.»

13. «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë atë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve.

14. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal.

15. Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi.

16. Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.»

17. «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin e Moisiut apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t’i shfuqizuar, po për t’i përmbushur.

18. Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë ‘i’ dhe asnjë pikë mbi ‘i’ nuk do t’i hiqet ligjit të Moisiut para se të ndodhë gjithçka.

19. Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t’i zbatojë dhe do t’ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve.

20. Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.»

21. «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: Mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq.

22. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23. Nëse kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje,

24. atëherë lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 5