Dhjata e Re

Mateu 5:37-46 Së Bashku (ALNT)

37. Kur të flisni, thoni ‘po’ kur është ‘po’ dhe ‘jo’ kur është ‘jo’. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu.»

38. «Keni dëgjuar se është thënë: Sy për sy e dhëmb për dhëmb.

39. Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.

40. Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.

41. Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje.

42. Jepi atij që të kërkon dhe mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua.»

43. «Keni dëgjuar se është thënë: Duaje tjetrin, por urreje armikun tënd.

44. Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin,

45. që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët.

46. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç’shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 5