Dhjata e Re

Mateu 5:2-16 Së Bashku (ALNT)

2. Atëherë mori fjalën e filloi t’i mësonte kështu:

3. «Lum të varfrit në shpirt,se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve.

4. Lum ata që vajtojnë,se do të ngushëllohen.

5. Lum zemërbutët,se do të trashëgojnë tokën.

6. Lum të uriturit e të eturit për drejtësi,se do të ngopen.

7. Lum të mëshirshmit,se do të mëshirohen.

8. Lum të pastrit në shpirt,se do të shohin Perëndinë.

9. Lum paqebërësit,se do të quhen bij të Perëndisë.

10. Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,se e tyre është mbretëria e qiejve.

11. Lum ju kur t’ju shajnë e t’ju përndjekin dhe me gënjeshtra të thonë të gjitha të këqijat kundër jush, për shkak se keni besuar në mua.

12. Gëzohuni dhe ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej. Kështu përndoqën edhe profetët përpara jush.»

13. «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë atë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve.

14. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal.

15. Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi.

16. Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.»

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 5