Dhjata e Re

Mateu 27:44-58 Së Bashku (ALNT)

44. Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.

45. Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën.

46. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani?», që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?».

47. Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elian».

48. Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam dhe ia dha për ta pirë.

49. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».

50. Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt.

51. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë.

52. Edhe varret u hapën dhe shumë besimtarë që kishin vdekur u ngjallën

53. dhe pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumë njerëzve.

54. Centurioni dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Perëndisë».

55. Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galileja dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg.

56. Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.

57. Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit.

58. Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi që t’ia jepnin.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 27