Dhjata e Re

Mateu 27:23-34 Së Bashku (ALNT)

23. Ai u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë?».Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!».

24. Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës dhe tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!».

25. I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!».

26. Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.

27. Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën.

28. Ia hoqën rrobat dhe e mbështollën me një mantel të kuq.

29. Pastaj thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Të përshëndesim, o mbreti i judenjve!».

30. E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë.

31. Pasi e tallën, ia hoqën mantelin, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.

32. Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit.

33. Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë ‘Vendi i Kafkës’,

34. i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, po kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 27