Dhjata e Re

Mateu 27:14-26 Së Bashku (ALNT)

14. Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.

15. Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës.

16. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur, që quhej Jezu Baraba.

17. Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t’ju liroj, Jezu Barabën, apo Jezuin që quhet Krisht?».

18. Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira.

19. Ndërsa Pilati ishte ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij».

20. Por kryepriftërinjtë dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën dhe të vrisnin Jezuin.

21. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?».Ata iu përgjigjën: «Barabën!».

22. Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?».Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!».

23. Ai u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë?».Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!».

24. Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës dhe tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!».

25. I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!».

26. Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 27