Dhjata e Re

Mateu 27:1-16 Së Bashku (ALNT)

1. Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje.

2. Pasi e lidhën, e morën dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit.

3. Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta

4. dhe u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm».Ata i thanë: «E ç’na duhet neve?! Kjo është punë për ty».

5. Pasi hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.

6. Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta dhe thanë: «Nuk është e lejueshme t’i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku».

7. Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh.

8. Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot ‘Ara e Gjakut’.

9. Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremia: I morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit,

10. dhe blenë me to arën e poçarit, siç më kishte urdhëruar Zoti.

11. Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?».Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».

12. Po kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje.

13. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?».

14. Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.

15. Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës.

16. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur, që quhej Jezu Baraba.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 27