Dhjata e Re

Mateu 26:57-75 Së Bashku (ALNT)

57. Pastaj ata që e kishin arrestuar, e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.

58. Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë.

59. Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje,

60. por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta

61. dhe thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta ndërtoj për tri ditë”».

62. Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çfarë po dëshmojnë kundër teje?».

63. Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?».

64. Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them seqë tani e tutjedo ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë të pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit».

65. Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç’na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë.

66. Çfarë mendoni?».Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen».

67. Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë dhe ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka

68. dhe i thoshin: «Gjeje kush të goditi, o Krisht?».

69. Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai dhe i tha: «Edhe ti ishe me Jezu galileasin».

70. Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Ti nuk di ç’po flet!».

71. Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër dhe u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit».

72. Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri».

73. Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Me siguri je një nga ata, sepse të tradhton e folura».

74. Pastaj Pjetri filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri».Atë çast këndoi gjeli

75. dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 26