Dhjata e Re

Mateu 26:46-61 Së Bashku (ALNT)

46. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».

47. Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit.

48. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!».

49. Dhe menjëherë iu afrua Jezuit dhe i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi.

50. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!».Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e arrestuan.

51. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin.

52. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën aty ku e kishe, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin.

53. A mendoni se nuk mund t’i lutem Atit tim që ai të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?

54. Por si do të përmbusheshin Shkrimet e shenjta, që thonë se duhet të ndodhë kështu?».

55. Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit dhe nuk më kapët.

56. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen ato që kanë shkruar profetët».Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën dhe ikën.

57. Pastaj ata që e kishin arrestuar, e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.

58. Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë.

59. Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje,

60. por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta

61. dhe thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta ndërtoj për tri ditë”».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 26