Dhjata e Re

Mateu 26:46-57 Së Bashku (ALNT)

46. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».

47. Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit.

48. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!».

49. Dhe menjëherë iu afrua Jezuit dhe i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi.

50. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!».Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e arrestuan.

51. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin.

52. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën aty ku e kishe, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin.

53. A mendoni se nuk mund t’i lutem Atit tim që ai të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?

54. Por si do të përmbusheshin Shkrimet e shenjta, që thonë se duhet të ndodhë kështu?».

55. Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit dhe nuk më kapët.

56. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen ato që kanë shkruar profetët».Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën dhe ikën.

57. Pastaj ata që e kishin arrestuar, e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 26