Dhjata e Re

Mateu 26:32-43 Së Bashku (ALNT)

32. Po kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».

33. Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do ta humbasin besimin në ty, unë nuk do ta humbas kurrë».

34. Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë».

35. Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj».Kështu thanë të gjithë dishepujt.

36. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani dhe u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t’u lutur».

37. Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim dhe ankth.

38. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua».

39. Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe dhe u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti».

40. Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë?

41. Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët».

42. Jezui shkoi për të dytën herë dhe u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!».

43. Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 26