Dhjata e Re

Mateu 26:25-38 Së Bashku (ALNT)

25. Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?».Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».

26. Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve dhe tha: «Merrni, hani, ky është trupi im».

27. Mori edhe kupën dhe pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre dhe tha: «Pini të gjithë prej kësaj.

28. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve.

29. Unë po ju them se nuk do të pij më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pij të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim».

30. E si kënduan një himn, shkuan në Malin e Ullinjve.

31. Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë ju të gjithë do të humbisni besimin në mua, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Do të godas bariun dhe delet e tufës do të shpërndahen.

32. Po kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».

33. Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do ta humbasin besimin në ty, unë nuk do ta humbas kurrë».

34. Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë».

35. Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj».Kështu thanë të gjithë dishepujt.

36. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani dhe u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t’u lutur».

37. Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim dhe ankth.

38. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 26