Dhjata e Re

Mateu 26:13-26 Së Bashku (ALNT)

13. Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».

14. Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë

15. dhe u tha: «Çfarë do të më jepni po t’jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi.

16. Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.

17. Ditën e parë të Festës së Bukëve të Pambrujtura, dishepujt erdhën te Jezui dhe i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?».

18. Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”».

19. Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën darkën e Pashkës.

20. Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët

21. dhe ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë».

22. Ata u trishtuan shumë dhe filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?».

23. Ai u përgjigj: «Ai që e ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë.

24. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».

25. Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?».Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».

26. Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve dhe tha: «Merrni, hani, ky është trupi im».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 26